06 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 e ka mbajtur sot pasdite seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Norvegjisë, që zhvillohet më 12 qershor në Drammen. Gjatë seancës së sotme intensiteti i punës ka qenë më i madh, derisa tek lojtarët vërehet një angazhim maksimal dhe dëshirë e madhe për përfaqësim sa më dinjitoz në ndeshjen e radhës. Trajnerët Erdgoan Celina, Fadil Berisha dhe Naser Prapashtica kanë punuar me përkushtim në shumë aspekte me futbollistët, në mënyrë që skuadra të funksionojë sa më mirë. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Deklaruan pas stërvitjes
Rron Broja: Atmosfera brenda grupit është jashtëzakonisht e mirë. Edhe sot të gjithë kemi punuar me përkushtim të madh. Pres që kështu të vazhdojmë edhe në ditët në vazhdim. Sa i përket ndeshjes me Norvegjinë presim të fitojmë pikën e parë në këto kualifikime, pse jo edhe të fitojmë. Sigurisht se do të jetë vështirë por e kemi vullnetin dhe entuziazmin në anën tonë, prandaj besoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Ardhja e Sulejmanit dhe Ismajlit do të na ndihmojë shumë. Kjo po vërehet edhe në stërvitje, pasi prania e tyre e ka rritur dukshëm cilësinë në ekip. Besoj se ata do ta bëjnë diferencën edhe në lojë.
Ylber Maloku: Harmonia në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë po e japim maksimumin në stërvitje. Sot stërvitja ishte me një intensitet më të lartë. Kushtet për punë janë shumë të mira, ashtu sikurse edhe kushtet e akomodimit në hotel. Prandaj neve nuk na mbetet tjetër veçse të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të bëjmë një lojë sa më të mirë në Norvegji. E dimë se Norvegjia ka ekip mjaft të fortë, por ne shpresojmë në rezultat pozitiv. Sulejmani dhe Ismajli me përvojën dhe cilësinë e tyre nga Kombëtarja A, kanë sjellë vetëbesim në ekipin tonë.