18 gusht, 2018 – Me një minutë heshtje në nderim të ish-presidentit të ndjerë Fadil Vokrri, ka nisur ndeshja e parë e Kampionatit të ri 2018/2019 në IPKO Superligë, ndërmjet Feronikelit dhe Trepçës’89, e ku në hapje ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, zv. sekretari Arianit Ahmeti si dhe djali i ish-presidentit Vokrri, Gramoz Vokrri, i cili edhe e nisi tropin nga qendra. Veç shikuesve të shumtë ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt z. Bekim Jashari. Pas një loje mjaft interesante në fund skuadrat u ndanë në barazim, 1:1. Në pjesën e parë u pa një mbizotërim i plotë i Feronikelit, që nga shumë raste të krijuara arriti të realizojë atë të minutës së 17-të, kur realizoi Mendurim Hoti, pas asistimit të Arbër Prekazit. Ndërkaq, në pjesën e dytë ishte Trepça’89 që shfaqi lojë më të mirë dhe si rrjedhojë e gjeti edhe golin e barazimit. Ishte minuta e 55-të kur Gëzim Rusi shënoi gol qysh në ndeshjen debutuese për “minatorët”. Nesër zhvillohen katër ndeshje tjera të javës së parë, derisa kjo xhiro mbyllet me ndeshjen Prishtina – Gjilani, që luhet të hënën në mbrëmje.