3 maj, 2022 – Gjashtë vjetori i anëtarësimit të Kosovës në UEFA është shënuar me një aktivitet për grupmoshat e reja në të dyja konkurrencat në Kampin Nacional në Hajvali. Të pranishëm në këtë turne kanë qenë edhe presidenti Agim Ademi me anëtarët e KE-së, Ismajl Ajeti, Mirsad Çollaku dhe Agim Nura, si dhe ish-futbollistë nga gjenerata e sakrificës. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që fëmijët ta shënojnë këtë datë duke luajtur lojën e bukur të futbollit, por edhe të mësojnë më shumë për rëndësinë e kësaj dite dhe sakrificën e shumë gjeneratave për të arritur aty ku jemi tash e 6 vjet – pjesë e familjes së madhe të futbollit evropian. Presidenti Ademi ka thënë se falë kontributit dhe sakrificës së gjeneratës së futbollistëve 1991 – 1999 dhe vazhdimësisë së garës edhe në kushtet e izolimit, sot fëmijët tanë kanë mundësi të reja për t’u zhvilluar si futbollistë dhe të ardhmen e kanë të ndritur. Ai tha se edhe në vitet e ardhshme FFK do të vazhdojë të punojë shumë në përmirësimin e infrastrukturës dhe do ta ketë prioritet futbollin e të rinjve.
Faleminderit UEFA!
Bashkë për Futbollin!