6 maj, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 33-të në Superligë. Skuadra e cila po lufton për mbetje në elitë, Arbëria ka arritur ta befasojë skuadrën që po lufton për titull, Ballkanin, duke e mundur në Suharekë, me rezultat 3:2. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina i ka rritur gjasat për të mbetur pjesë e elitës, teksa portokallezinjve të Blendi Shkëmbit ua ka bërë tejet të vështirë kurorëzimin me titull të kampionit. Në fakt, tashmë Ballkani ngec 5 pikë ndaj Prishtinës kryesuese, kur kanë mbetur edhe tri javë deri në mbyllje të kampionatit. Kreshnik Bahtiri kaloi në epërsi Arbërinë në minutën e 20-të. Shifrat i barazoi Arbër Shala në minutën e 45-të. Megjithatë, pjesa e dytë sërish nisi mirë për mysafirët që me golat e Kreshnik Bahtirit (47’) dhe Agon Llugiqit (67’) arritën t’i sigurojnë tri pikë të mëdha në Suharekë. Ballkani shënoi edhe në minutën e 87-të nëpërmjet Arbër Hoxhës, por pa arritur ta ndryshojë epilogun e këtij takimi. Fitore tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë realizoi edhe Drenica, e cila në stadiumin “Bajram Aliu” e mundi Llapin, me rezultat 4:2. Anthony Monin (4’) autogol, Donald Rapo (48’), Osman Mëziu (80’) e Gentrit Dumani (86’) shënuan për Drenicën, teksa të dy golat për llapjanët i realizoi Amir Hossari. Me këtë fitore, Drenica është ngjitur në pozitën e pestë në tabelë me 41 pikë, dy më shumë se Llapi që ka zbritur në pozitën e gjashtë.