2 tetor, 2017 – Leogang-Austri – Pas akomodimit në hotel “Leonhard” në Leogang të Austrisë, Kombëtarja e Kosovës U-19 mbajti seancën e parë stërvitore, para ndeshjes së nesërme kundër Kombëtares së Austrisë, në kuadër të ndeshjeve para kualifikuese për Kampionatin evropian “Finlanda 2018”. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi dhe shtabi teknik u përqendruan në stërvitjen  sotme kryesisht në lojën trysni ndaj kundërshtarit dhe me kundërsulme. Në stërvitjen e sotme veç anëtarëve të KE të FFK-së, Ilaz Mjaku e Luan Vokshi, në përcjellje ishin edhe Michael Nees drejtori teknik i FFK-së dhe shumë adhurues e prindër të futbollistëve. Atmosfera në Kombëtare është mjaft e mirë dhe po punohet me vullnet e përkushtim të madh për sukses. Gjendja shëndetësore e futbollistëve sipas fjalëve të mjekut dr. Milazim Gjocaj është e mirë. Pas stërvitjes deklaruan:
 
Ramiz Krasniqi, përzgjedhës
Me gjithë vështirësitë që kishim gjatë grumbullimeve, ku disa ishin jo në data të lira të FIFA-s dhe kishim pengesa për të grumbulluar lojtarët që luajnë nëpër Evropë, kemi arritur të krijojmë një ekip të mirë. Kemi punuar mirë dhe do të përpiqemi të tregojmë e dëshmojmë lojëra të mira. Pavarësisht se përballë do të kemi kundërshtarë të fortë ne nuk do të dorëzohemi, por do ta bëjmë më të mirën të mundshme për të arritur rezultate pozitive.
 
Rilind Nimani, futbollist
Besoj se do të kemi një ndeshje të fortë. Ballafaqohemi me një Kombëtare të mirë e cilësore. Por ne do të japim maksimumin dhe të arrijmë sukses.
 
 
 
Lirim Kastrati, futbollist
Ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë dhe kemi edhe dy ndeshje tjera e nëse nesër arrijmë rezultat të mirë kjo do të jetë një shtytje për neve.
 
 
 
Leutrim Kryeziu, futbollist
Edhe pse kemi përballë një kundërshtar të fortë, unë besoj se nëse angazhohemi të gjithë mirë, do të arrijmë rezultat të mirë, por gjithsesi pritet të shohim nesër.
 
 
Altrim Pajaziti, futbollist
Jemi të fokusuar për këtë ndeshje sepse është edhe ndeshja e parë dhe do të mundohemi të japim gjithçka nga vetvetja. Kemi punuar mirë dhe kemi atmosferë të mirë.