23 shkurt, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani dhe skuadra fituese e Kupës në edicionin e kaluar, Llapi, kanë vazhduar serinë e fitoreve në stinorin pranveror, teksa kanë regjistruar fitoret e treta. Portokallezinjtë kanë triumfuar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë në duel me Trepçën’89, me rezultat 1:0. Kësisoj, ata janë rikthyer sërish në pozitën e parë në renditje, pas javës së 21-të, me 47 pikë. Por, edhe në këtë ndeshje skuadra e Ilir Dajës vuajti për goxha shumë për arkëtimin e pikëve të plota. Edhe kësaj radhe heroi i Ballkanit ishte sulmuesi i spikatur, Albion Rrahmani, i cili realizoi gol me kokë në minutën e 88-të. Fitore si mysafir dhe me të njëjtin rezultat shënoi edhe Llapi, që në stadiumin “18 Qershori” në Klinë e mposhti Dukagjinin (1:0). Golin e tri pikëve të rëndësishme për skuadrën e Tahir Batatinës e shënoi Festim Alidema, në minutën e 12-të. Pas kësaj fitoreje është ngjitur në pozitën e katërt, me 29 pikë, derisa Dukagjini mbetet në pozitën e gjashtë me 25 pikë.