18 shtator, 2021 – Ballkani është ngjitur në krye të renditjes së BKT Superligës, ku do të qëndrojë së paku 24 orë, pasi në ndeshjen e javës së 5-të e ka mundur Llapin në Suharekë, me rezultat 2:0. Për fitoren e portokallezinjve u përkujdes Ermal Krasniqi, i cili realizoi të dy golat e kësaj ndeshje. Fillimish realizoi në minutën e 13-të, derisa rezultatin e vulosi në minutat e fundit. Do theksuar se Llapi që nga minuta e 72-të luajti me një lojtar më pak, pasi Arbnor Ramadani u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Pas pesë xhirove Ballkani ka grumbulluar 11 pikë, derisa Llapi mbetet i parafundit, me vetëm 2 pikë. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, skuadra e promovuar në elitë, Malisheva ka vazhduar me lojëra të mira, teksa ka arritur ta mposhtë Feronikelin, me rezultat 1:0. Golin e fitores së tretë të Malishevës në këtë edicion e realizoi Donart Vitija, në minutën e 62-të. Pas kësaj fitoreje Malisheva momentalisht renditet në pozitën e dytë, me 10 pikë, derisa Feronikeli mbetet në kuotën e 6 pikëve.