30 shtator, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 4-t në Superligë. Ballkani ka realizuar fitoren e tretë në këtë edicion, duke e mposhtur Llapin në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me rezultat 3:1. Mirlind Daku realizoi dy gola në këtë përballje, derisa me një gol kontribuoi Blendi Baftiu, teksa golin e vetëm për llapjanët e shënoi Arbnor Ramadan. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ngjitet në pozitën e parë me 10 pikë, derisa Llapi mbetet në kuotën e 0 pikëve në tri ndeshje të zhvilluara. Fitore të rëndësishme në shtëpi ka realizuar Trepça ’89, e cila arriti ta mposhtë Prishtinën, me rezultat minimal 1:0. Golin e fitores për “minatorët” e shënoi Arbnor Muja nga penalltia. Ndërkohë, skuadra kampione në fuqi, Drita në ndeshjen e parë të këtij edicioni në Superligë e ka mundur Besën, me shifrat 3:1, me dy gola të Kastriot Rexhës dhe një gol të Hamdi Namanit, derisa golin e vetëm për pejanët e realizoi Gentrit Salihu.