21 shkurt, 2021 – Është përmbyllur java e 20-të në Superligë me dy ndeshjet tejet interesante. Ballkani ka shënuar fitore tejet të vështirë në duel me Feronikelin në shtëpi, me rezultat 1:0. Ishte Mirlind Daku, ai, i cili realizoi golin e vetëm të kësaj ndeshje në minutën e 80-të, kur e devijoi topin me kokë në rrjetën e mysafirëve pas harkimit të Ermal Krasniqit. Kjo fitore ia mundësoi Ballkanit që të ngjitet në pozitën e parë në renditje, me 44 pikë, aq sa ka edhe Drita tashmë në pozitën e dytë. Për Dakun ky ishte goli i 22-të në këtë edicion.
Ndërkaq, Llapi ka shënuar fitore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në përballje me Gjilanin, me rezultat 3:1, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe me raste të shumta. Llapjanët shënuan nga një gol në fillim të secilës pjesë dhe një tjetër krejtësisht në fund të ndeshjes për fitoren e shtatë në këtë edicion të Superligës, e cila i vendos në pozitën e shtatë në renditje me 23 pikë. Elvis Prençi e hapi serinë e golave në minutën e tretë, ndërsa kapiteni Mentor Zhdrella shënoi për 2:0 në minutën e 47-të. Gjilanasit u rikthyen në lojë nëpërmjet Gerhard Prognit, që realizoi supergol në minutën e 54-t nga ndërprerja, por ky gol doli të jetë i pamjaftueshëm për të bërë kthesën në rezultat. E për ta vulosur fitoren e Llapit u përkujdes Kushtrim Shabani (90+1’) që shënoi gol të bukur nga distanca. Ndeshjet e javës së 21-të zhvillohen në mesjavë.