7 maj, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore tejet të rëndësishme si mysafir në Gjilan ndaj Dritës, në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligë, duke e bërë garën për titull shumë interesante. Portokallezinjtë e Suharekës fituan me rezultat 2:1, duke e barazuar kuotën e pikëve me Dritën (66) në krye të renditjes. Ballkani kaloi në epërsi me një gol të Meriton Korenicës, në minutën e 11-të, ndërsa Muharrem Jashari barazoi shifrat në minutën e 43-të. Ndonëse në pjesën e dytë më shumë nga loja pati skuadra vendase, ishte Lumbardh Dellova, i cili në minutën e 85-të ia solli fitoren Ballkanit, me golin e shënuar me gjuajtje me kokë, pas një harkimi nga këndorja. Edhe pas kësaj humbjeje, Drita mbetet lidere dhe fatin e titullit e ka në duart e veta, ngase nëse i fiton tri ndeshjet e mbetura atëherë do t’i gëzohet trofeut.
Dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme u mbyllën pa fitues dhe pa gola. Ferizajt shkëputi një pikë të rëndësishme në në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në përballje me Llapin, duke arritur në kuotën e 35 pikëve, edhe pse ende mbeten në pozitën e parafundit.
Ndërkaq, Gjilani shkëputi një pikë si mysafir në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me Prishtinën, duke e mbajtur këtë të fundit në distancë prej 7 pikësh. Gjilani luajti me një futbollist më pak në fushë nga minuta e 78-të, pasi Arbnor Ramadani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.