4 gusht, 2022 – Skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Ballkani ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të rrethit të tretë në Ligën e Konferencës në duel me skuadrën Klaksvik nga Ishujt Faroe. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll me shifrat 3:2. Ballkani pati paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, duke krijuar epërsi prej dy golash. Fillimisht realizoi Nazmi Gripshi, në minutën e 30-të, teksa 11 minuta më vonë Meriton Korenica shënoi gol të bukur nga distanca për dyfishim të epërsisë. Portokallezinjtë vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë. Ishte minuta e 50-të kur Albion Rrahmani shënoi një tjetër gol të bukur për 3:0. Megjithatë, kur dukej se skuadra e Ilir Dajës po shkonte drejt një fitore të pastër dhe do të bënte hapa të mëdhenj drejt rrethit të ardhshëm, mysafirët arritën të shënojnë dy herë, duke e bërë të paqartë situatën rreth skuadrës e cila do të kalojë tutje. Të dy golat i shënoi Pal Klettskard, në minutën e 69-të dhe në minutën e 88-të. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Klaksvik.