20 shkurt, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në derbin e javës kundër Prishtinës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është mbyllur me rezultat 2:0, në të mirë të skuadrës nga Suhareka. Kjo fitore ia mundësoi Ballkanit që të ngjitet në vendin e parë me 39 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e dytë. Të dy golat skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja i realizoi në minutat shtesë. Ermal Krasniqi realizoi nga penalltia, kurse më pas Mevlan Zeka e vendosi rezultatin përfundimtar pas një kundërsulmi të shpejtë. Prishtina pati mundësi për të shënuar në minutën e 57-të, por Besnik Krasniqi nuk u tregua i saktë nga penalltia. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Lumbard Dellovës (56’), përkatësisht Otto John (70’). Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore të pritur në duel me Feronikelin në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, me rezultat 3:1. Blerim Krasniqi (9’), Arbër Prekazi (80’) dhe Edison Kqiku (82’) realizuan golat për gjilanasit, derisa golin e nderit për Feronikelin, i cili edhe në këtë ndeshje u paraqit me junior, e realizoi Ibrahim Cervadiku. Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Drenica, e cila e ka mundur Dukagjinin në Klinë, me rezultat 2:1. Të dy golat kuqezinjtë e Skenderajt i realizuan në pjesën e parë nëpërmjet Baton Zabërgjës (5’) dhe Armend Abazit (44’). Ndërkaq, golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Donart Hasanaj.