21 mars, 2021 – Janë zhvilluar edhe dy ndeshjet tjera në kuadër të javës së 26-të në Superligë. Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në “Riza Lushta”, duke e mposhtur Trepçën’89, me rezultat 2:0. Kjo fitore ia mundëson Ballkanit të marrë kryesimin e renditjes, me 55 pikë, aq sa ka edhe Drita tashmë në pozitën e dytë. Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 36-të, me golin e Mirlind Dakut, për të cilin ky ishte goli i 26-të në këtë edicion, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Arbër Hoxha, me golin e shënuar në minutën e 69-të. Ndërkaq, Llapi e ka fituar ndeshjen mjaft interesante në “Zahir Pajaziti” ndaj Arbërisë, me rezultat 4:3. Llapjanët fituan falë dy autogolave të Kreshnik Bahtirit dhe nga një gol të Muhamed Hysenit dhe Ahmed Januzit, derisa për Arbërinë dy gola i realizoi Marclei Cesar dhe një gol Dior Zabërgja. Me këtë fitore Llapi ngjitet në pozitën e pestë me 33 pikë, derisa Arbëria mbetet në zonën e rrezikshme me 27 pikë.