11 gusht, 2022 – Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, është kualifikuar në fazën e “play-off”-it të Ligës së Konferencës. Ky është suksesi më i madh që kanë arritur klubet kosovare në garat evropiane. Deri te ky sukses portokallezinjtë e Suharekës erdhën pas fitores me penallti në ndeshjen e kthimit në Ishujt Faroe, ndaj Klaskvikut (4:3).
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 2:1 në të mirë të skuadrës nga Ishujt Faroe dhe duke pasur parasysh se në ndeshjen e parë edhe Ballkani kishte fituar me një gol epërsi (3:2), ndeshja shkoi në vazhdime.
Klaksviku kaloi në epërsi në minutën e 56-të, me golin e Mads Mikkelsen. Rezultatin e barazoi Ermal Krasniqi, në minutën e 83-të me një gjuajtje nga distanca. Megjithatë, vendasit arritën ta rikthejnë epërsinë në minutën e 89-të, me golin e Da Silva-s, duke e çuar ndeshjen në vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Në këto periudha të lojës asnjëra skuadër nuk realizoi gol dhe kualifikimi u vendos në penallti.
Më meritori për suksesin e Ballkanit ishte portieri Damir Lulanoviq, i cili priti dy penallti, teksa penalltinë vendimtare për portokallezinjtë e shënoi Lindon Emërllahu.
Balllkani do të luajë në ‘play-off” të Ligës së Konferencës kundër kampionit të Maqedonisë së Veriut, skuadrës shqiptare, FC Shkupi.