19 korrik, 2022 – Skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Ballkani ka shënuar fitore me rezultat bindës në ndeshjen e rrethit të dytë të Ligës së Konferencës. Portokallezinjtë e mposhtën si mysafirë kampionin e San Marinos, La Fioritan, me shifrat 4:0, duke e kryer pothuajse çështjen e kualifikimit tutje qysh në ndeshjen e parë. Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 6-të me golin e Meriton Korenicës. Epërsinë e dyfishoi Albion Rrahmani në minutën e 23-të, teksa i njëjti lojtar realizoi edhe golin e tretë në minutën e 50-të. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Albin Berisha në minutën e 73-të. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në “Fadil Vokrri”. Në rast kualifikimi në rrethin tjetër Ballkani do të luajë me fituesin e ndeshjes Sutjeska – Klaksvik.