20 gusht, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani, i cili po shkëlqen në garat evropiane, ka vazhduar me fitore edhe në Albi Mall Superligë, kësaj radhe duke fituar në shtëpi kundër Feronikelit 74, me rezultat 2:0. Rezultatin e zhbllokoi Albin Berisha, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, kur shënoi me gjuajtje me kokë nga afërsia. Fitorja e portokallezinjve u konfirmua në minutën e 69-të, kur Robert Rrahmani shënoi autogol pas harkimit të Almir Ajzerajt. Ndërkohë, Llapi ka regjistruar fitoren e parë në këtë edicion, teksa e ka mundur me rezultat bindës Dukagjinin në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 3:0. Golat për skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina i shënuan Ilir Blakçori (69’), Muhamet Hyseni (78’) dhe Trimor Selimi (88’). Për Dukagjinin kjo ishte humbja e dytë. Ndeshja që e përmbyll javën e dytë është paraparë të zhvillohet nesër ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës.