19 shkurt, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani, ka realizuar fitoren e dytë radhazi në stinorin pranveror, përkatësisht të 13-tën në këtë edicion në Albi Mall Superligë, duke ruajtur epërsinë prej tre pikësh në kreun e renditjes ndaj skuadrës rivale për titull, Dritës. Megjithatë, deri te fitorja para tifozëve të vet në kuadër të javës së 20-të, skuadra e Ilir Dajës vuajti goxha shumë përballë Drenicës. Në fakt, ishin kuqezinjtë e Skenderajt, ata që shënuan të parët, kur Bintsouka Koxy, realizoi në minutën e 8-të. Mirëpo, ashtu sikurse një javë më parë, edhe këtë herë për fitoren e portokallezinjve u përkujdes sulmuesi i shkathtë, Albion Rrahmani, i cili fillimisht në minutën e 25-të barazoi shifrat, derisa në minutën e 88-të vulosi fitoren pas asistimit të Gripshit. Ndeshja tjetër e ditës së sotme ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës ka prodhuar gola, por jo edhe fitues. Pas një loje mjaft interesante në fund skuadrat janë ndarë baras, 2:2. Malisheva ishte dy herë në epërsi, por në të dyja rastet gjilanasit arritën të rikthehen. Për skuadrën mysafire realizuan Ronald Sobowale (18’) dhe Bleart Tolaj (64’), derisa për Gjilanin golat i shënuan Albert Dabiqaj (30’) nga penalltia dhe Mevlan Zeka (80’), i cili dështoi nga pika e bardhë, por topin e dëbuar nga portieri e dërgoi në rrjetë. I njëjti futbollist në minutat shtesë realizoi nga afërsia me kokë, por goli u anulua nga VAR, pasi paraprakisht kishte pozitë jashtëloje. Gjilani edhe pas këtij barazii vazhdon ta mbajë pozitën e tretë, me 29 pikë, derisa Malisheva renditet e teta, me 20 pikë. Të shtunën janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera, ku Drita ka fituar bindshëm ndaj Dukagjinit (5:1), Llapi ishte më i mirë se Trepça’89 (2:1), derisa Ferizaj mposhti Prishtinën (1:0). Ndeshjet e javës së 21-të luhen në mesjavë.