11 tetor, 2016 – Sot në hotel “Emerald” është mbajtur një konferencë për media, ku është bërë e ditur se dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Bekim Haxhiu, nënkryetar dhe Murat Hoxha, anëtar, kanë ofruar dorëheqje nga pozitat e tyre në Federatën e Futbollit të Kosovës. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, fillimisht ka përshendetur të pranishmit dhe ka bërë me dije se dy bashkëpunëtorët e tij të deritashëm ia kishin ofruar atij dorëheqjen menjëherë pas pranimit në UEFA e FIFA. “Pas pranimit tonë në Budapest, gjegjësisht në Meksiko Siti, të dy kolegët tanë kanë ofruar dorëheqje të mënjehershme nga postet e tyre në FFK, mirëpo ne kemi pasur dëshirë që të gjithë së bashku t’i shijojmë së paku këto ndeshjet e para kualifikuese dhe të organizohemi në mënyrën më të mirë të mundshme edhe për Kuvendin e parë të punës si federatë e pranuar. Sigurisht se shkaqet e ofrimit të këtyre dorëheqjeve janë që mos të ketë konflikt interesi, gjegjësisht të mos inteferojë politika në instancat e futbollit. Unë i falënderoj të dy kolegët për punën e jashtëzakonshme që kemi bërë së bashku, pastaj shumë ligje që kanë qenë të ndërlidhura direkt apo në mënyrë indirekte me sportin, gjegjësisht me futbollin, janë mbështetur fuqishëm nga dy kolegët tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Shpresoj se edhe pas dorëheqjes së këtyre dy deputetëve nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të arrihet finalizimi i inciativave të filluara për Ligjin për Sponsorisim dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim. Në emër të Komitetit Ekzekutiv, të klubeve, kuvendarëve ju falënderoj nga zemra për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë deri më tash në FFK dhe sigurisht se ne prapë do të mbesim miq ashtu siç kemi qenë gjatë tërë këtyre viteve që i kemi kaluar së bashku”, ka theksuar Vokrri.
Ndërkohë, nënkryetari i dytë i deritashëm i FFK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se dorëheqjen ia ka ofruar kryetarit Vokrri menjëherë pas pranimit në UEFA e FIFA me arsyen e vetme dhe me bindjen e plotë se misioni I tij në futbollin e Kosovës ka përfunduar me pranimin e plotë dhe të suksesshëm të Kosovës në UEFA e FIFA. “Më vjen shumë mirë që një projekt i imi dhe i bashkëpunëtorëve të mi dhe i përkrahësve, i filluar në vitin 2008 për ndryshime në FFK, jo për të marrë vet udhëheqjen e federatës, por për të sjellë në krye të saj njeriun me të cilin bashkërrugëtuam këto 8 vite deri në pranimin e plotë të FFK-së në UEFA e FIFA, doli projekt i suksesshëm dhe i cili u realizua në mënyrën më të mirë të mundshme. Ishte një rrugëtim jo i lehtë ishte me plotë sfida, me plot emocione dhe më vjen mirë që brenda kësaj periudhe kohore bashkarisht kemi gjetur rrugën e duhur për të realizuar me sukses synimin tonë. Tani mund të them lirisht që si pjesë e FFK-së deri në këto momente me tërë qenien time jam munduar dhe përkushtuar të jap kontributin tim që futbolli i Kosovës të avancohet, zhvillohet dhe dua të falënderoj kryetarin Vokrri dhe të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe të gjithë anëtarët e FFK-së, me të cilët kam bashkëpunuar në këto 8 vite bashkë. Tani hapim rrugën dhe në asnjë mënyrë, në asnjë instancë dhe në asnjë moment nuk dëshirojmë që ne që i kontribuam pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA të jemi pengesë, por duam të hapim rrugën që FFK të avancohet edhe më tutje, të ecë përpara pasi shtigjet janë të hapura për gjeneratat e reja, të cilët e kanë rrugën çel drejt Evropës dhe botës mbarë. Uroj që bashkarisht t’i shijojmë emocionet dhe të jemi fitues edhe në evente evropiane edhe botërore. Asnjëherë nuk do të mungoj në këto evente në përkrahje të Kosovës. Nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës do të vazhdoj të jem përkrahës i FFK-së dhe tani e tutje bashkëpunimi ynë do të jetë vetëm mbështetës. Suksese FFK-së dhe të gjithë sportistëve”, është shprehur Haxhiu.
Për dorëheqjen e tij ka folur edhe Murat Hoxha, i cili po ashtu është shprehur i gatshëm që ta mbështesë FFK-në sa herë që është e mundshme. ”Duke qenë mirënjohës dhe falënderues për bashkëpunimin e sinqertë në rrugëtimin tonë të përbahkët në organizimin, zhvillimin dhe ndërkombëtarizimitn e futbollit të Kosovës, kam marrë vendimtë parevokushëm që tani e tutje të mos jem anëtar i KE të FFK-së. Dorëheqja ime nga institucioni më i lartë i futbollit të Kosovës, plotëson edhe një kriter, i cili verbalisht është kërkuar nga delegatët e Kuvendit të FFK-së, por edhe nga kërkesa e përfaqësuesit të UEFA-s që politika të jetë larg futbollit. Tash e tuje do të vazhdoj të mbështesë në forma të ndryshme të gjithë akterët e lojës së futbollit, përfshi edhe menaxhmenetin e institucionit më të lartë të KE të FFK-së. Unë do të vazhdoj përkushtimin tim për futbollin”, ka theksuar Hoxha.