Skuadra e Besës ka realizuar fitoren e parë në këtë edicion të Raiffeisen Superligës, pasi e ka mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Llamkos Kosovën. Ndeshja e zhvilluar, të enjten, në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë është mbyllur me shifrat 2:0, në të mirë të pejanëve. Rezultati i kësaj sfide u zhbllokua në minutën e 63-të. Paraprakisht Alban Dragusha gaboi dhe më pas e rrëzoi Kastriot Rexhën në afërsi të 16-metërshit, për çka u ndëshkua me karton të kuq. Ndërkohë, nga gjuajtja e lirë Mensur Duraku shënoi një gol të shkëlqyeshëm, 1:0. Vetëm gjashtë minuta më vonë Fatih Karahoda shënoi një tjetër supergol, duke e vulosur fitoren e Besës, 2:0.