Tashmë dihen katër skuadrat gjysmëfinaliste në Digitalb Kupën e Kosovës në futboll. Pas Feronikelit dhe Drenicës, kalimin në fazën finale të kësaj gare e kanë siguruar edhe Besa dhe Trepça’89. Skuadra e Besës, të enjten, në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, e mposhti liderin e Ligës së Parë, Llapin, me rezultat 2:0. Golat për pejanët i shënuan, Fatih Karahoda në minutën e 8-të dhe Qëndrim Dautaj në atë të 76-të. Ndërkohë, Trepça’89 shënoi fitore si mysafire kundër skuadrës tjetër të Ligës së Parë, Gjilanit, po ashtu me rezultat 2:0. Golat për mitrovicasit i shënuan Diar Miftaraj, në minutën e 63-të dhe Berat Hyseni në të 80-tën.
Shorti për gjysmëfinalet e Digitalb Kupës së Kosovës tërhiqet me datën 27.04.2015 në ora 12.00 në Shtëpinë e Sporteve.