a-3-1Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, është shprehur i zhgënjyer pas humbjes kundër Ukrainës, derisa ka theksuar se sikur të kishin pak më shumë fat do të mund të nxirrin edhe rezultat pozitiv.
“Ishte një ndeshje e fortë. Ukraina e ka një skuadër të fortë, deri në minutën e 82-të ishim në përpjekje për ta barazuar rezultatin dhe kishim rastet tona. Mendoj se ka qenjë një angazhim më i madh dhe një lojë më e mirë se sa kundër Kroacisë. Nuk patëm edhe fat sepse në momentin kur Miloti ishte në rast për gol, ata në aksionin vijues na ndëshkuan. Prapë edhe tek goli i dytë ne kishim raste të mira dhe Bernardi e qëlloi shtyllën, por më pas pësuam golin e dytë. Kundërshtarëve të tillë si Ukraina nuk u nevojiten shumë raste për të shënuar. Më dhimbsen lojtarët që nuk ia dolëm të marrim rezultat pozitiv, pasi u angazhuan maksimalisht. Kemi luajtur me mbrojtje shumë më të organizuar dhe me disiplinë të madhe, por kështu e ka futbolli. Natyrisht se edhe ekipi ishte i lodhur, pasi për ne kjo është një eksperiencë e re të luash brenda tre ditëve me kundërsharë të nivelit të tillë si Kroacia e Ukraina. Natyrisht se befasitë janë të mundshme në futboll, por është reale të pritet të ndodhë kjo të pësosh dy humbje radhazi ndaj kundërshtarëve të tillë, ngase Kosova sapo e ka filluar rrugën e saj. Ndonëse kemi pësuar 9 gola në këto dy ndeshje, ne kemi krijuar 7 raste kundër Kroacisë dhe po ashtu edhe disa raste sonte kundër Ukrainës”, ka theksuar Albert Bunjaki.