Pamje nga konferencaSot më 10 nëntor përzgjedhësi i Përfaqësueses “A” të Kosovës, z. Albert Bunjaki mbajti një konferencë për media në prag të ndeshjes Kosovë-Shqipëri, që zhvillohet, të premten, në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë. Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe nënkryetari i FFK-së z. Agim Ademi. Duke shpalosur emëroren e futbollistëve të ftuar përzgjedhësi Bunjaki ka thënë: “ Është një ndeshje e veçantë dhe interesante dhe me emocione. Para se të flasë për këtë ndeshje, dua të them diçka se në kohën kur kam ardhur unë të drejtoj ekipin përfaqësues ndeshjen e parë e kemi pasur pikërisht me Shqipërinë më 17 shkurt 2010 dhe po përpiqem të vë një paralele ndërmjet asaj kohe dhe kësaj që do të kemi tash. Kjo ndeshje do të jetë festive për të dyja palët, pasi besoj se duhet ta përkrahim dhe ta përgëzojmë Kombëtaren e Shqipërisë për suksesin e arritur dhe do të kisha thënë se slogani i kësaj ndeshje është ‘Të festojmë së bashku’. Unë besoj se të gjithë do të përqendrohemi në një lojë festive dhe natyrisht të mos mendojmë si një konkurrencë mes dy Përfaqësueseve që gjithsesi është por jo në formën klasike. Unë i lusë mediat që të përmbahen nga pyetjet politike dhe të angazhohen në aspektin sportivë. Ta shfrytëzojmë këtë rast një nga më të mirët. Kjo ndeshje duhet të jetë madhështore sepse adhuruesit kanë dëshirë të shohin të gjithë lojtarët sepse kjo përbërje Kombëtares shqiptare është ndër më të mirat e të gjitha kohërave”. Në vazhdim përzgjedhësi Bunjaki bëri të ditur se për këtë ndeshje ka ftuar 19 futbollistë duke dhënë sqarime për secilin futbollistë dhe pozitë.
Emërorja e futbollistëve: Samir Ujkani, Visar Bekaj, Iliri Berisha, Loret Sadiku, Fanol Perdedaj, Denis Markaj, Leart Paçarada, Alban Pnishi, Avni Pepa, Enis Alushi, Hekuran Kyeziu, Eroll Zejnullahu, Mërgim Brahimi, Besar Halimi, Valmir Sulejmani, Bernard Berisha, Elbasan Rashani, Bersant Cecilija dhe Shpëtim Hasani.