Përzgjedhësi i Përfaqësues së Kosovës, Albert Bunjaki, sot në një konferencë për media, ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për miqësoren e 3 qershorit kundër Ishujve Faroe në Frankfurt. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe nënkryetari i FFK-së, z. Agim Ademi dhe drejtori i ekipeve përfaqësuesese, z. Arton Govori. Fillimisht gazetarët e pranishëm në këtë konferencë i përshendeti nënkryetari Agim Ademi, i cili foli për përgatitjet dhe angazhimet që po bëhen pas pranimit në UEFA dhe FIFA. “Që dy ditë në Kosovë ishin dy zyrtarë të UEFA-S, të cilët inspektuan dhe ndonqën ndeshjen finale të Digitalb Kupës së Kosovës. Na pret një punë e madhe dhe ne po punojmë shumë në përgatitjet për arenën ndërkombëtare të ekipeve përefaqësuese por edhe të ekpive pjesëmarrëse në garat evropiane”, ka theksuar ndër të tjera Ademi.
Ndërkaq përzgjedhësi Bunjaki ka thënë se miqësorja me Ishujt Faroe, e para pas pranimit në UEFA e FIFA, vjen në momentin e duhur, pasi në shtator Kosovën e pret debutimi në kualifikimet e Kampionatit botëror. Ai e vlerësoi miqësoren me Ishujt Faroe si një test të vështirë. “Mendoj se është një moment jashtëzakonisht i mirë për neve para fillimit të kualifikimeve të Kampionatit botëror, duke pasur parasysh se nuk kemi pas mundësi të luajmë në mars. Kam shikuar pesë ndeshje e fundit të Ishujve Faroe dhe nuk jam farë i befasuar me performancat që kanë pasur kundër Greqisë, brenda dhe jashtë, si dhe ndaj Hungarisë e Rumanisë. Kjo dëshmon se tashmë të gjithë po luajnë futboll të mirë dhe Ishujt Faroe i vlerësoi si kombëtare të vogël, por më zemër të madhe. Është një inspirim ndoshta edhe prej futbollit islandez, i ngjan pak futbollit finlandez, por për ne është e mirë, pra do të kemi një kombëtare që për ne do të jetë në pyetje durimi ynë, sepse është një kombëtare që luan ndryshe nga kombëtaret që kemi luajtur më herët. Sidoqoftë parapërgatitjet i kam bërë, analizat e rivalit i kam kryer dhe qysh nesër së bashku me ndihmësin tim, Muharrem Sahitin do të nisemi për në Frankfurt”, ka thënë Bunjaki. Tutje ai është shprehur i kënaqur më grupin lojtarëve që ka në dispozicion, pasi janë lojtarë të rinj dhe cilësorë. Përzgjedhësi ka theksuar se Kosova nuk ia ka frikën asnjë kombëtare, pavarësisht së në cilin grup do të jetë në kualifikime. “Nuk është një situatë e lehtë për ne, ngase pas tre muajsh do të jemi në kualifikimet e Kampionati botëror dhe akoma nuk e dimë se në cilin grup jemi. Kjo është vështirë sidomos për përzgjedhësin, por unë e ndjej vetën shumë mirë me grupin e lojtarëve, të cilët janë lojtarë të rinj dhe nuk na frikëson asnjë grup, por definitivisht duhet më pas përvojë dhe durim”, ka theksuar Bunjaki.
Duke folur për objektivat e Kosovës në kualifikimet e Botërorit, Bunjaki ka thënë se synim kryesor do të jetë paraqitja sa më dinjitoze në fushatën e parë kualifikuese. “Objektivi ynë real në kualifikimet e Kampionatit botëror është që të kemi performancë sa më të mirë dhe nëse ne do të kemi performancë të mirë në këto kualifikime, unë jam shumë i bindur se në kualifikimet e Kampionatit Evropian, do të jemi konkurrent shumë interesant për ta kaluar grupin”, ka nënvizuar Bunjaki. Ai në fund ka bërë të ditur se grumbullimi i futbollistëve në Frankfurt nis më 1 qershor dhe para miqësores me Ishujt Faroe janë paraparë të mbahen dy seanca stërvitore.
Lista e futbollistëve të ftuar
Portierë: Sami Ujkani, Flamur Neziri
Mbrojtës: Loret Sadiku, Avni Pepa, Bajram Jashanica, Lum Rexhepi, Fanol Perdedaj, Lead Paqarada.
Mesfushorë/sulmues: Enis Alushi, Hekuran Kryeziu, Mergim Brahimi, Besar Halimi, Valmir Sylejmani, Bernard Berisha, Elbasan Rashani, Bersant Celina, Flamur Kastrati dhe Albert Bunjaku.