Sot më 31 gusht Përzgjedhësi i Përfaqësueses “A” të Kosovës z. Albert Bunjaku mbajti një konferencë me media, ku shpalosi programin e grumbullimit të Përfaqësueses. Në këtë konferencë ishin edhe kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri dhe nënkryetari Bekim Haxhiu. Duke i përshëndetur mediat z. Albert Bunjaku theksoi: ” Meqenëse nuk arritëm të kemi lojë, ne si shtab teknik kemi menduar se megjithatë është e mirë të kemi një grumbullim. Futbollistët kanë arritur me përjashtim të Mërgim Brahimi dhe Hekuran Kryeziu, të cilët për shkak se është dita e fundit për transferime i kemi lejuar të mos vijnë. Sot do të kemi një ushtrim të ndarë në dy pjesë dhe për shkak të kohës së nxehtë termin e ushtrimit e kemi shtyrë për në orën 18.00 dhe do të mbahet në Kastriot. Ky është një mundësi e mirë dhe do ta shfrytëzojmë këtë grumbullim ku do të stërvitim lojën ofenzive duke filluar nga faza e fillimit të aksionit, ndërtimi apo krijimi i aksionit dhe finalizimi i tij. Kështu do të jetë sot dhe nesër ndërsa më 2 shtator do të kemi një lojë të brendshme pasi këtë na e mundëson numri i madh i lojtarëve që i kemi ftuar dhe do të jetë një ndeshje që do të drejtohet nga gjyqtarët. Do të kemi bisedime individuale dhe maksimalisht do ta shfrytëzojmë në mënyrë profesionale për ngritjen e përfaqësueses.
Seanca e sotme stërvitore do t mbahet sot në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot nga ora 18.00 deri në 19.15 dhe deri në orën 19.30 do të jetë kohë e ndarë për intervista.