10 qershor, 2017 – Zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë ndikuar që numri i mediave nga Kosova të jetë shumë i vogël, megjithatë në konferencën për media përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, z. Albert Bunjaku u shpreh optimist për sfidën e nesërme kundër Turqisë: “Sot e kemi pasur edhe stërvitjen e fundit. Nuk kam ndonjë raport më ri dhe të gjithë janë të gatshëm. Do ta kemi një lojë të vështirë, Kemi fituar një përvojë, jemi më stabil, më të përqendruar dhe më bashkëveprime të mira. Turqia është një skuadër e mirë, ka një trajner të madh dhe ka gjasa që të kualifikohet në vendin e dytë. Kjo ndeshje është më ndryshe nga ajo e zhvilluar në Turqi. Jemi në rrugë të mirë që t’i gëzojmë adhuruesit me një fitore. Do të ballafaqohemi edhe me vendime të vështira se kënd ta paraqesim në fushë”, ka theksuar Bunjaku.
Portieri, Samir Ujkani tha se “do të jetë një ndeshje e fortë kundër një ekipi të fortë. Por edhe ne kemi punuar shumë, ndonëse kemi pasur disa lëndime por shpresoj se me përkrahjen e tifozëve do të arrijmë qëllimin”. Enis Alushi, u shpreh se “kemi të bëjmë me një skuadër cilësore, por terreni ka ndikuar që edhe përgatitjet të mos jenë në nivelin e duhur por gjithsesi do të angazhohemi maksimalisht”.