9 shtator, 2018 – Përzgjedhësi i Kombëtares A, Bernard Challandes dhe kapiteni Samir Ujkani në konferencën për media i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Fillimisht Samir Ujkani ka thënë se kemi pritur me padurim të luajmë para adhuruesve tanë dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për dy arsye të fitojmë ndeshjen dhe ta realizojmë dëshirën e ish presidentit Fadil Vokrri. “Ishte një ndjenjë e mirë kur dëgjuam se tashmë janë shitur të gjitha biletat për pak orë, kjo na gëzon, por dhe na vë në presion. Unë besoj që do t’i gëzojmë adhuruesit dhe popullin e Kosovës. Ky vend ka kaluar nëpër shumë sakrifica e mundime të mëdha ndaj e kemi borxh të angazhohemi e të japim kontributin drejt fitores. Jemi ndeshur me Ishujt Faroe para dy viteve në ndeshje miqësore por tash është ndryshe po takohemi në ndeshje kualifikuese, ndaj edhe duhet tjetër angazhim”, ka theksuar Ujkani. Ndërkaq, përzgjedhësi Bernard Challandes ka thënë se ne ishim në Azerbajxhan dhe nuk jam shumë i kënaqur me lojën, ndërsa Ishujt Faroe fituan në shtëpi dhe patën një lojë të mirë. Tash duhet të luajmë më shumë në sulm por mendoj se nuk duhet harruar as mbrojtjen. Kosova siç kam thënë disa herë e ka një ekip të mirë dhe shumë të ri. Do të kërkoj nga futbollistët të angazhohen në maksimum, por nuk u them se gjithsesi duhet të fitoni sepse luajmë para publikut në Prishtinë”, ka theksuar Challandes.