Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe të gjithë futbollistët e Kombëtares, pas ndeshjes në deklaratat për media fitoren e sotme kundër Ishujve Faroe ia kanë dedikuar ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.
“Kjo fitore është për Vokrrin, shpresoj që ai sonte na ka ndjekur nga qielli. Sa i përket lojës pjesa e parë ishte e mirë në ndërtimin e lojës, donim që të luanim nga krahët dhe të kishim sa më shumë krosime. Patëm shumë krosime, por vetëm një lojtarë kishim në zonë. Nëse luajmë ashtu duhet të hyjmë në zonë si raketa. Në pushimin pas pjesës së parë iu thashë lojtarëve se duhet të shkojnë sa më tepër brenda zonës dhe këtë e bënë në pjesën e dytë”, ka theksuar Challandes, për të shtuar: “Të luajmë këtu është një ndjenjë e jashtëzakonshme si për ne ashtu edhe për lojtarët tanë, por edhe për tifozët. Që kur kam marrë ekipin e kam ditur se mbrojtja është prioritet. Mirëpo, mbrojtje nuk duhet të luajnë katër mbrojtësit ose dy mesfushorët defanzivë. Mbrojtja është pjesë e një koncepti ekipor të lojës dhe është dashur të kemi një model ekipor që funksionon. Nëse i shikoni ekipet e mëdha në Evropë, e shihni që ka raste që nga 10 lojtarë janë në defanzivë në momente të caktuara. Deri më tani, ka funksionuar mirë”.
 
Samir Ujkani: Fitorja është për ish-presidentin Vokrri dhe familjen e tij. Ne kemi luajtur njësoj si në pjesën e parë dhe në të dytën. Nuk është e lehtë t’i lësh në bankinë disa lojtarë të mirë dhe sërish të ruash atmosferën në ekip, ky është mentaliteti ynë. Në Azerbajxhan morëm një pikë shumë të madhe, sepse fusha ka qenë shumë e rrezikshme. Ne duhet të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje, pa e patur mendjen te të tjerët. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne në fushë”.
Milot Rashica: Sonte fituam për Vokrrin dhe për tifozët tanë. Ishte ndeshja e parë që kemi luajtur në shtëpi dhe kemi patur përkrahjen shumë të madhe të tifozëve tanë. Bashkëpunimi është shumë i mirë në treshen e ofensivës dhe gjatë lojës kemi mundësi të ndryshojnë anët, duke respektuar edhe taktikën e trajnerit”.
Atdhe Nuhiu: “Këto tri pikë kanë qenë shumë të mëdha. Megjithatë s’duhet të kënaqemi shumë, sepse duhet ende të përmirësohemi. Kemi lojtarë jashtëzakonisht të mirë. Në çdo rol kemi nga dy lojtarë dhe secili po jep më të mirën. Duhet të mendojmë lojë pas loje dhe të shohim se ku do të mbërrijmë. Jam i lumtur që e filluam me fitore në shtëpi dhe arritëm ta gëzojmë në qiell ish-presidentin Vokrri”.
Arbër Zeneli: “Jam shumë i lumtur për golin, sigurisht që atë ia dedikoj Fadil Vokrrit. Kemi qenë në disa momente pak nervoz, mirëpo ne e kontrolluam ndeshjen gjatë gjithë kohës. Ngadalë u futëm në lojën tonë dhe ia dolëm të marrim tri pikë”.