28 mars, 2021 – Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Katar 2022”. Dardanët, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri” pësuan humbje nga Suedia, me rezultat të thellë 3:0. Për Suedinë kjo ishte fitorja e dytë, ngase tri ditë më herët shënoi fitore edhe nga Gjeorgjia. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi para portës mysafire në minutat e para, por në minutën e 17-të suedezët zhbllokuan shifrat. Ishte Viktor Claesson, i cili realizoi pas asistimit të Ibrahimoviqit. Epërsinë në 2:0 mysafirët e shtuan në minutën e 35-të, kur Alexander Ixak shfrytëzoi një tollovi para portës së Ujkanit. Në pjesën e dytë suedezët arritën ta administrojnë epërsinë e krijuar, derisa në minutën e 70-të i çuan shifrat në 3:0 përmes kapitenit Sebastian Larsson nga pika e bardhë. Kosova e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Bernard Berisha, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 83-të u përjashtua pas dy kartonë të verdhë. Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan të mërkurën në Sevilla, ku do të përballet me Spanjën.