3 tetor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave është duke i zhvilluar përgatitjet për ndeshjen e tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021 kundër Estonisë, që zhvillohet më 8 tetor në Tartu, në orën 18:15. Grumbullimi i të përzgjedhurave të Afërdita Fazlijajt ka filluar më 1 tetor dhe deri tash rrjedha e stërvitjeve ka shkuar sipas parashikimeve dhe të gjitha futbollistet janë në formë të mirë. Edhe gjatë stërvitjes së sotme,  e cila u zhvillua në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, u punua me intensitet të lartë, ku përzgjedhësja Fazlija me ndihmësit e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli u përqendruan në disa aspekte të lojës, me qëllim që duelin me estonet ta presin sa më të përgatitur. Entuziazmi për rikthim te fitorja është i madh tek secila futbolliste dhe kjo gjë vërehet edhe në përkushtimin e tyre maksimal në stërvitje. Nesër në orën 15:00, në të njëjtin stadium, Dardanet do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit në Kosovë, teksa të shtunën në mëngjes do të udhëtojnë drejt Estonisë. Të rikujtojmë se Kosova gjatë këtij muaji ishte planifikuar t’i zhvillonte dy ndeshje, por përballja e 4 tetorit kundër Rusisë u shty nga UEFA për një datë tjetër.

Deklaruan pas stërvitjes
Erëleta Memeti: Është mirë që tani po kemi rast të jemi më shpesh së bashku dhe të gjitha vajzat po e presim me entuziazëm ndeshjen e radhës. Fitorja në ndeshjen e parë kundër Turqisë ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme, por humbja me Slloveninë na e ka lanë një shije të keqe. Tani është koha që kundër Estonisë të tregojmë cilësitë tona dhe të dëshmojmë se fitorja kundër Turqisë nuk ishte e rastësishme. Gjatë këtyre tri ditëve kemi punuar shumë mirë në stërvitje dhe jam optimiste se nga Estonia do të kthehemi me fitore.

Florentina Kolgeci: Fakti që këtë muaj do ta luajmë vetëm një ndeshje ndoshta është përparësi për ne, ngase muajin e kaluar u vërtetua se nuk është e lehtë të luash dy ndeshje brenda pak ditëve në nivele të tilla. Deri tash përgatitjet për ndeshjen kundër Estonisë po shkojnë shumë mirë dhe jam optimiste se do ta gëzojmë popullin tonë me një tjetër fitore sikur ajo kundër Turqisë.