Sot më 2 shtator në prag të ndeshjes miqësore ndërkombëtare Kosova-Omani u mbajt një takim me grupet e adhuruesve të Kosovës, të cilët në ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës paraqiten me emrin “Dardanët”. Fillimisht, përfaqësuesit e “Ujqve” nga Ferizaj, “Skifterat” Gjilan, “Intelektualët” Gjilan, “Shqiponja e zeza” Skenderaj, “Shqiponjat” Pejë dhe “Tigrat e zi “ Drenas, i përshëndeti sekretari përgjithshëm i FFK-së z. Eroll Salihu, i cili i ka falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit përfaqësueses në dy ndeshjet e kaluara duke kërkuar nga ata që të vazhdojnë këtë përkrahje edhe tash në këtë ndeshje, duke dëshmuar anim korrekt dhe në suaza të “Fair-play”-t. Ndërkaq, organizatori ndeshjes z. Agron Selimi dhe z. Arben Zhjeçi, biseduan me përfaqësuesit e grupeve për mënyrat e vendosjes së tyre në stadium dhe për detaje tjera të animit. Kështu që u vendos për shkak të disa transparenteve që do të shpalosin adhuruesit ata të vendosën në pjesën lindore të stadiumit. KE i FFK-së ka vendosur që për të gjitha grupet e adhuruesve të jepen nga 100 bileta falas. Pastaj z. Selimi bisedoi edhe gati me të gjithë kryetarët e komunave që ata të ndihmojnë në transportin e adhuruesve, të cilët premtuan gjithë ndihmën e tyre. Përfaqësuesit e grupeve të adhuruesve premtuan që ditën e diel do të bëjnë sa më madhështore këtë ndeshje dhe stadiumi do të ketë një dekor madhështor.