8 tetor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji. Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Challandes ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët me përjashtim të Vedat Muriqit, i cili për shkak të shqetësimeve të vogla shëndetësore, ka qëndruar në hotel për pushim, derisa Milot Rashica ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, duke pasur parasysh se është rikthyer vetëm pak javë më parë nga lëndimi. Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë e mirë dhe e gjithë vëmendja është tek përballja me Malin e Zi, që zhvillohet më 14 tetor, ndonëse edhe miqësorja me Gjibraltarin pritet me entuziazëm, sidomos nga futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë deri më tash për lojë. Stërvitja e sotme ka qenë me intensitet të plotë, ku futbollistët punuan me entuziazëm në skemat e lojës së trajnerit zviceran. së sotme në konferencë për media u paraqitën portieri Samir Ujkani dhe sulmuesi Atdhe Nuhiu, të cilët e vlerësuan duelin me Malin e Zi si një finale.
“Besoj që jemi në gjendje të mirë. Jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është si një finale për ne. Por fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha që të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet të shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”, ka theksuar Ujkani.
Edhe Atdhe Nuhiu ka theksuar se ndeshja me Malin e Zi është e rëndësishme sikur edhe duelet paraprake. “Po shpresojmë të kemi rezultat të mirë edhe me Malin e Zi. Ndeshja ndaj Gjibraltarit është test dhe parapërgatitje për Malin e Zi. Në Podgoricë kemi treguar cilësitë tona, por Mali i Zi ka ekip të fortë. Gjithsesi ne luajmë në shtëpi ku e kemi përkrahjen e madhe të shikuesve. Do të futemi me mentalitet fituesi dhe duam të marrim pikët e plota. Edhe ndaj Malit të Zi do të luajmë me filozofinë dhe mentalitetin që e kishim deri më tash”, ka thënë Nuhiu.
“Dardanët” nesër do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Gjibraltarit, që zhvillohet të enjten në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.