4 maj, 2022 – Derbi i qytetit ndërmjet Gjilanit dhe Dritës në kuadër të javës së 33-të në BKT Superligë nuk ka dhënë  fitues, por as gola (0:0). Një epilog i tillë ia ka mundësuar skuadrës së Ballkanit, që katër javë para përfundimit të kampionatit ta sigurojë titullin e parë të kampionit në histori të klubit. Drita u shfaq skuadër më e mirë në derbi, por nuk arriti ta konkretizojë asnjë prej rasteve të krijuara. Mundësinë më të mirë e pati Almir Kryeziu, në minutën e 30-të, kur e qëlloi shtyllën. Ndërkohë, Prishtina ashtu siç pritej realizoi fitore në duel me skuadrën e fundit në renditje, Feronikelin, me rezultat 5:0. Sadam Sulley shënoi “hat-trick” për kryeqytetasit, ndërsa e nga një gol kontribuuan edhe Agim Zeka e Otto John. Kjo fitore ia mundëson Prishtinës qëndrimin në pozitën e pestë me 45 pikë. E fitore me vlerë të madhe realizoi edhe Dukagjini në duel me Ulpianën, me shifrat 2:1. Të parët në epërsi kaluan lipjanasit, me golin e Silvester Shkallës në minutën e 77-të, por më pas vendasit arritën të përmbysin shifrat me golat e shënuar nga Mentor Zhdrella nga penalltia në minutën e 83-të dhe Labinot Jashanica, në minutën e parë të kohës shtesë. Pas kësaj fitoreje Dukagjini renditet i gjashti, me 45 pikë.