7 shtator, 2018 – Në prag të ndeshjes kualifikuese për Evropianin 2019, ndërmjet Kosovës dhe Irlandës në grupmoshën U21, Federata e Futbollit e Kosovës sipas traditës ka shtruar drekë për zyrtarët e Irlandës dhe delegatin e UEFA-s. Nga FFK-ja të pranishëm ishin anëtarët e KE të FFK-së, Xhelal Broja dhe Ilaz Mjaku, si dhe asistentja e presidentit, Agim Ademi, Merita Morina – Zariqi. Gjatë kësaj dreke të përbashkët ndër të tjera Xhelal Broja i informoi mysafirët për ecurinë e futbollit të Kosovës që nga koha e ish-Jugosllavisë e deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA dhe për vështirësitë në të cilat kanë hasur shumë e shumë gjenerata. Ndërkaq, mysafirët nga Irlanda falënderuan FFK-në për mikpritje të ngrohtë, derisa theksuan se historia e dy popujve është goxha e ngjashme dhe po ashtu edhe mentaliteti i përafërt. Ata shprehën shpresën dhe uruan që Kosova në një të ardhme të afërt të jetë pjesëmarrëse e ndonjë Kampionati Evropian ose Botëror. Në fund të drekës të dyja palët shkëmbyen dhurata modeste, derisa uruan njëra – tjetrën për një lojë korrekte.