Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 17-të (të fundit për stinorin vjeshtor) në Raiffeisen Superligë. Në të dyja takimet fitores iu gëzuan skuadrat vendase. Drenica në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj e ka mposhtur Llapin, me rezultat 2:1. Golin e parë për drenicasit e shënoi kapiteni Sami Geci, në minutën e 23-të me gjuajtje me kokë, derisa rezultatin përfundimtar dhe fitoren e Drenicës e vulosi Taulant Dajaku nga penalltia, në minutën e 71-të, pasi paraprakisht gjyqtari Bajram Gashi akordoi 11-metërsh pasi brenda zonës luajti me dorë Hamdi Namani. Llapjanët në fund të ndeshjes arritën ta shënojnë golin e nderit kur Benjamin Emini realizoi nga penalltia, në minutën e 90-të. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Gjilan, Drita ka shënuar fitore me rezultat bindës 5:1. Në këtë takim ka shkëlqyer Xhevdet Shabani, i cili ka shënuar katër gola. Shabani shënoi në minutat 5’, 67’, 71’ dhe 90’, derisa me një gol kontribuoi Fillim Guraziu, në minutën e 31-të nga penalltia. Në anën tjetër vushtrriasit në minutën e 13-të realizuan golin e vetëm, që ishte edhe goli i barazimit të përkohshëm.