6 maj, 2023 – Drenica është skuadra e parë e Albi Mall Superligës së Kosovës që nga edicioni tjetër do të bëjë gara në një rang më të ulët të garave. Kuqezinjtë kanë humbur gjasat për të dalë nga zonat e rrezikshme pas humbjes së pësuar të shtunën kundër Trepçës ’89, me rezultat 3:1, në kuadër të xhiros së 33-të.
Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit, Drenica ndodhet në pozitën e fundit në tabelë, me 23 pikë dhe tani më e ka të pamundur ta ngjitet në pozitën e tetë, e cila siguron ndeshjen e barazhit. Kjo do të jetë hera e parë që Drenica do të përshëndetet nga elita e futbollit kosovar. Golat e fitores për Trepçën ’89 i shënuan Egzon Fazliu (3′), Madi Karamo Fatty (40′) dhe Rilind Nimani (46′), derisa golin e vetëm për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Osman Mëziu.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Dukagjini fitoi me rezultat 1:0 kundër Malishevës në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke i mbajtur gjallë shpresat për pozitën e tretë, e cila siguron daljen në Evropë. Golin e fitores për skuadrën e Armend Dallkut e shënoi nigeriani Otto John, në minutën e 86-të. Pas kësaj fitoreje, Dukagjini aktualisht ndodhet në pozitën e katërt, me 44 pikë, 6 më pak se Gjilani i pozitës së tretë. Në anën tjetër, Malisheva pas kësaj humbje mbetet në pozitën e shtatë, me 39 pikë. Në xhiron e ardhshme, Dukagjini do të luajë kundër Drenicës, ndërsa Malisheva do të presë Prishtinën në stadiumin “Liman Gegaj”.