6 shkurt, 2022 – Janë mësuar edhe tri skuadra tjera çerekfinaliste të Kupës së Kosovës. Drita, Ballkani dhe Prishtina kanë kaluar tutje, pasi në ndeshjet e sotme të 1/8 së finales kanë realizuar fitore. Drita ka arritur fitore me rezultat bindës ndaj skuadrës së Ligës së Parë, Fushë Kosovës, me rezultat 5:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqytet. Serinë e golave e hapi Ardian Cuculi, në minutën e 27-të nga penalltia. Edhe golin e dytë skuadra gjilanase e shënoi nga pika e bardhë, por kësaj here realizator ishte Arbnor Muja, në minutën e 42-të. Pak para pushimit epërsinë në 3:0 e shtoi Marko Simonovski, derisa Almir Ajzeraj dhe Arbnor Muja shënuan nga një gol në pjesën e dytë, në minutat 62 e 69 për rezultatin përfundimtar 5:0. E fitore shumë më të vështirë realizoi Ballkani në duel me Malishevën në Suharekë, me rezultat 1:0. Golin e kualifikimit për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja e realizoi Albion Rrahmani, në minutën e 79-të, pak minuta pas inkuadrimit në lojë. Ndërkaq, Prishtina kaloi tutje vetëm pas vazhdimeve duke e mundur Drenicën, 2:1, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:1. Të parët në epërsi kaluan kuqezinjtë me golin e Kreshnik Ukës, në minutën e 61-të, derisa shifrat i barazoi Besnik Krasniqi, në minutën e katërt të shtesës nga penalltia. Në vazhdime bardhekaltrit e kryeqytetit e gjetën shpejt golin, kur Sadam Sulley shënoi vetëm pas dy minutash, duke ia siguruar kësisoj biletën për çerekfinale.