16 shtator, 2023 – Janë zhvilluar sot tri ndeshje në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll. Drita ka shkëputur vetëm një pikë si mysafire e Fushë Kosovës, pasi dueli i zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan është mbyllur me rezultat 1:1. Drita e gjeti e para golin në minutën e 32-të përmes Blend Baftiut, mirëpo Fushë Kosova barazoi në minutën e 59-të me një gol të Dominik Ivkiq, i cili u pranua pas rishikimit në VAR.

Llapi triumfoi me rezultat bindës, 3:0, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas kundër Feronikelit ’74. Llapi e zhbllokoi rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë nga penalltia, me golin e Muhamet Hysenit. Në fakt, ai e gjeti golin pas përpjekjes së dytë, ngase gjuajtjen e parë e priti portieri Amrush Bytyqi, por gjyqtari e përsëriti penalltinë pas rishikimit në VAR, ngase portieri i vendasve kishte lëvizur më herët nga porta. Në pjesën e dytë fitoren e Llapit e konfirmuan Ergyn Ahmeti, me golin e minutës së 49-të dhe Trimror Selimi, me golin e minutës së 67-të.

Fitoren e parë në këtë edicion e ka realizuar Gjilani, që para tifozëve të vet ka arritur të mposhtë liderin e deri para kësaj jave, Malishevën, me rezultat 1:0. Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Kushtrim Shabani, në minutën e 55-të.