3 prill, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 27-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita ka shënuar fitore në udhëtim, duke e mposhtur Arbërinë, me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Rezultatin e zhbllokuan futbollistët e Arbnor Morinës, në minutën e 23-të, me golin e Dion Zabërgjës. Megjithatë, gjilanasit reaguan shpejt dhe arritën që brenda pjesës së parë ta përmbysin rezultatin me golat e Festim Alidemës, në minutën e 27-të dhe Priesleyt, në minutën e 33-të. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vulosi Betim Haxhimusa në minutën e 63-të. Pas kësaj fitoreje, Drita është në pozitën e parë, me 58 pikë, tre më shumë se Ballkani që luan nesër kundër Prishtinës. Në ndeshjen tjetër, Drenica fitoi në shtëpi në duel me Trepçën’89, me shifrat 2:0. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Baton Zabërgja dhe Donald Rapo. Pas kësaj fitoreje Drenicën mban vendin e 8-të me 30 pikë, derisa Trepça’89 mbetet në pozitën e gjashtë, me dy pikë më shumë.