29 prill, 2023 – Drita ka shënuar fitore në kuadër të javës së 31-të në AlbiMall Superligë, duke u rikthyer në pozitën e parë, ku do të qëndrojë së paku 24 orë. Skuadra gjilanase shënoi fitore para tifozëve të vet, me rezultat bindës 3:0. Në bankinën e Dritës në këtë ndeshje debutoi trajneri grek, Akis Vavalis. Ndonëse që nga minuta e 9-të mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të portierit Leutrim Rexhepi, Ferizaj arriti t’i bëjë rezistencë vendasve deri në minutën e 78-të, kur Ardit Tahiri zhbllokoi shifrat. Më pas në kohën shtesë, Drita realizoi edhe dy gola tjerë nëpërmjet Kastriot Selmanit dhe Marko Simonovskit. Në ndeshjen tjetër, Malisheva shënoi fitore si mysafire kundër Drenicës, me rezultat 2:1. Të parët shënuan kuqezinjtë e Skenderajt, nëpërmjet Agim Zekës, në minutën e katërt, por Malisheva arriti ta përmbysë rezultatin shpejt me golat e Behar Maliqit, nga penalltia, në minutën e 7-të dhe Bleart Tolajt, në minutën e 24-t. Pas kësaj fitoreje Malisheva arrin në kuotën e 36 pikëve në pozitën e shtatë.