7 prill, 2022 – Janë zhvilluar sot ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Drita ka bërë një hap të madh drejt finales, pasi ashtu siç pritej ka mbizotëruar ndaj skuadrës së Ligës së Parë, Ramiz Sadikut, duke e mundur në Gjilan, me rezultat 3:0. Të tre golat skuadra e Ardian Nuhiut i shënoi në pjesën e parë. Serinë e golave e nisi Albin Krasniqi, në minutën e 8-të pas asistimit të Ilir Blakçorit, derisa pesë minuta më vonë epërsinë e shtoi Hamdi Namani. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vendosi Muharrem Jashari, me golin e realizuar në minutën e 39-të. Fitore para tifozëve të vet regjistroi edhe Prishtina, që arriti ta mund Llapin, me rezultat 2:1, ndonëse një periudhë të konsiderueshme luajti me një lojtar më pak. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 39-të me golin e Gledi Micit nga penalltia. Llapjanët barazuan shifrat në minutën e 62-të po ashtu me gol nga penalltia, të cilën e realizoi Arbnor Ramadani. Mirëpo, gëzimin tek skuadra kryeqytetase e solli Endri Krasniqi, me golin e shënuar në minutën e 84-t. Dy skuadrat finaliste të këtij edicioni do të përcaktohen në ndeshjet e kthimit që zhvillohen më 13 prill në Prishtinë dhe Podujevë.