24 qershor, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 26-të në Ipko Superligë. Skuadra kryesuese, Drita ka realizuar fitoren e radhës, këtë herë duke e mposhtur Vushtrrinë në stadiumin “Ferki Aliu”, me rezultat 4:0. Gjilanasit kaluan në epërsi qysh në minutën e parë me golin e Xhevdet Shabanit, derisa më pas realizuan edhe Betim Haxhimusa (22’), Astrit Fazliu (80’) dhe Kastriot Rexha (82’). Ndërkohë, tri pikë të plota në udhëtim i ka arkëtuar edhe Gjilani, që ka mundur skuadrën e fundit në renditje, Dukagjinin, me rezultat 3:1. Keita Razak (2’), Arbër Shala (autogol,6’) dhe Fiton Hajdari (67’) shënuan për Gjilanin, ndërsa golin e vetëm për Dukagjinin e shënoi Abu Kamara (9’). Në anën tjetër një ndeshje shumë interesante u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ndërmjet dy skuadrave që po luftojnë për mbetje në elitë, Trepçës’89 dhe Flamurtarit, e cila në fund u mbyll baras 1:1. Kuqezinjtë e kryeqytetit ishin shumë afër arkëtimit të tri pikëve, ngase nga minuta e 33-të ishin në epërsi me golin e shënuar nga Bashkim Shala. Këtë epërsi arritën ta ruajnë deri në minutën e shtatë të shtesës, kur Muharrem Jashari shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca për ta barazuar rezultatin në 1:1.