21 korrik, 2022 – Skuadra nënkampione në fuqi, Drita, sot do të përballet me skuadrën belge, Royal Antwerp, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë në Ligën e Konferencës. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Bosuil” dhe fillon në orën 19:00. Drita u kualifikua në këtë fazë të garave duke e eliminuar skuadrën finlandeze, Inter Turku, pas një paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e kthimit në ‘Fadil Vokrri’, ku arriti ta përmbysë epërsinë e finlandezëve (1:0), duke fituar 3:0. Në kampin e skuadrës gjilanase janë të vetëdijshëm për cilësitë e kundërshtarit, por janë shprehur maksimalisht të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre dhe për marrë një rezultat sa më të favorshëm nga ky udhëtim. Skuadra e Adrian Nuhiut edhe vitin e kaluar u paraqit në Ligën e Konferencës ku u eliminua në rrethin e dytë nga skuadra e Feyenoordit, pas një paraqitje mbresëlënëse.