25 gusht, 2019 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e tjera të javës së dytë në Ipko Superligë. Drita iu gëzua fitores së parë në këtë edicion teksa e mundi Flamurtarin në Gjilan, me rezultat bindës 3:0. Pas humbjes befasuese një javë më parë nga Ferizaj në shtëpi, këtë herë futbollistët e Dritës nuk lejuan befasi, duke u shfaqur mjaft efikas në sulm. Serinë e golave e hapi Betim Haxhimusa qysh në minutën e 5-të, epërsi me të cilën e mbyll pjesa e parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë gjilanasit arritën të shënojnë edhe dy herë. Fillimisht realizoi Izair Emini në minutën e 52-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Fidan Gërbeshi nga penalltia në minutën e 79-të.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër e cila u zhvillua në stadiumin ‘Ferki Aliu’, Vushtrria dhe Trepça’89 u ndanë në barazim 1:1. Përballja e këtyre dy skuadra ishte mjaft interesante dhe u zhvillua para një numri të madh të tifozëve. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e shënuar nga Ardian Muja, në minutën e 17-të, por shifrat i barazoi Jasmin Raboshta, në minutën e 33-të. Në fund të pjesës së parë Vushtrria pati mundësi të kalojë në epërsi, por Daut Maxhuni nuk shënoi nga penalltia. Në pjesën e dytë të dyja ekipet e kërkuan golin e fitores, por nuk arritën të shfrytëzojnë asnjërin prej rasteve të krijuara.