5 dhjetor, 2021 – Është përmbyllur java e 17-të në BKT Superligë me tri ndeshjet e zhvilluara sot. Derbi i kësaj jave ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” është mbyllur me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat 1:0. Përcaktues ka qenë goli i shënuar nga Marko Simonovski, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Arbnor Mujës, në minutën e 36-të të takimit. Kjo fitore e mban Dritën në hap me dy skuadrat e tjera të kreut të renditjes, Ballkanin dhe Gjilanin, pasi ka 31 pikë në renditje, dy më pak se lideri, përkatësisht një më pak se rivali i qytetit, derisa Prishtina mbetet në pozitën e pestë, me 24 pikë. Në dy ndeshjet e tjera nuk pati fitues, por as gola. Llapi nuk arriti të shkëpusë më shumë se një pikë në duel me Dukagjinin në Klinë, derisa skuadra e fundit në renditje, Feronikeli arkëtoi një pikë në Lipjan në përballje me skuadrën e parafundit, Ulpianën. Dje, Ballkani shënoi fitore në ballafaqim me Drenicën (1:0), derisa Gjilani e mposhti Malishevën, 3:1.