7 mars, 2021 – Skuadra kampione në fuqi, Drita ka shënuar fitore tejet të vështirë në duel me Feronikelin, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 1:0, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 23-të në Superligë. Heroi i skuadrës gjilanase ishte Festim Alidema, i cili arriti të shënojë një gol të bukur në minutën e 94-t, pas asistimit të Astrit Fazliut. Pas kësaj fitoreje, Drita rikthehet sërish në pozitën e parë. Tani ajo ka 50 pikë, dy më shumë se Ballkani, përkatësisht tri më shumë se Prishtina, derisa Feronikeli mbetet në pozitën e 6-të me 27 pikë. Feronikeli gjatë tërë ndeshjes ishte më kërkues, por nuk arriti të konkretizojë asnjë prej rasteve të krijuara, derisa Drita u shfaq mjaft e rrezikshme në kundërsulme, duke e sfiduar në tri-katër raste seriozisht portierin Florian Smakiqi. Ndeshjen e radhës Drita e zhvillon të enjten kundër rivalit lokal, Gjilanit, teksa Feronikeli të mërkurën udhëton në Mitrovicë ku përballet me Trepçën’89.