14 qershor, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 24-t në Ipko Superligë. Drita ka shënuar fitoren e radhës dhe atë si mysafire, duke u rikthyer sërish në pozitën e parë në renditje, me dy pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, Prishtina. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu, të dielën, ka arkëtuar tri pikë në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, duke e mundur Trepçën’89, me rezultat 2:0. Rezultatin e kësaj ndeshjeje e zhbllokoi Xhevdet Shabani në minutën e 17-të, me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë, duke iu falënderuar edhe reagimit të dobët të portierit vendas, Ardit Hyseni. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Kastriot Rexha, në minutën e 69-të, me golin e shënuar nga afërsia pas asistimit të Astrit Fazliut. Fitore të lehtë si mysafir ka realizuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Ferizajn, 3:0, duke e ruajtur kësisoj hapin me skuadrat e kreut të renditjes. Golat për gjilanasit i shënuan Gerhard Progni (2’), Nikac (31’) dhe Fiton Hajdari (52’). Me këtë fitore, Gjilani mbetet në vendin e katërt me 45 pikë të tubuara, 4 më pak se sa Drita kryesuese, derisa Ferizaj mbetet në vendin e dhjetë me 25 pikë.