26 nëntor, 2022 – Drita ka shënuar fitore si mysafire në kuadër të javës së 18-të në Albi Mall Superligë. Skuadra gjilanase, për të cilën kjo ishte paraqitja e parë pas largimit të trajnerit Ardian Nuhiu, ka triumfuar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj në duel me Drenicën, me rezultat 3:1. Drita që nga fillimi e dominoi ndeshjen, por rezultatin e zhbllokoi në minutën e 42-të me golin e Marko Simonovskit. Ndërkaq, dy golat e tjerë gjilanasit i shënuan në pjesën e dytë, kur Simonovski realizoi sërish në minutën e 69-të, derisa dhjetë minuta më pas Besnik Krasniqi i çoi shifrat në 3:0 nga penalltia. Ky i fundit krejt në fund të ndeshjes realizoi edhe një herë, por kësaj radhe në portën e gabuar, duke e vulosur rezultatin përfundimtar 3:1. Ndërkaq, ndeshja tjetër e ditës së sotme ndërmjet Ferizajt dhe Dukagjinit u mbyll pa gola.