21 korrik, 2022 – Drita ka treguar një tjetër paraqitje të madhe në garat evropiane. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu, të enjten, ka barazuar 0:0, në duel me skuadrën belge, Royal Antwerp, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës. Antwerpi ashtu siç pritej e dominoi lojën gjatë tërë ndeshjes, por hasi në një lojë tejet të disiplinuar të futbollistëve të Dritës, të cilët nuk lanë shumë hapësira në mbrojtje, teksa edhe paraqitja e portierit Faton Maloku ishte e nivelit të lartë. Në anën tjetër, Drita në disa raste u tregua e rrezikshme nëpërmjet kundërsulmeve, e ku rastin më të mirë e pati Arbnor Muja, pas minutës së 80-të, por gjuajtja e tij shkoi në duart e portierit të skuadrës belge. Kësisoj, gjithçka rreth skuadrës e cila do të kalojë tutje do të vendoset pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e ku pritet një atmosferë madhështore nga tifozët.

(foto: Belga)