28 korrik, 2022 – Skuadra e Dritës është eliminuar nga garat evropiane, por sërish ka treguar paraqitje të nivelit të lartë. Pas barazimit në ndeshjen e parë si mysafire (0:0), Drita është mundur në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga skuadra belge, Royal Antwerp, me rezultat 2:0. Skuadra e Ardian Nuhiut pati mbështetje të madhe të tifozëve, por as kjo nuk e ndihmoi për të realizuar befasi ndaj gjigantit belg. Gjithsesi, paraqitja e futbollistëve të nënkampionëve në fuqi të Kosovës edhe në këtë ndeshje ishte dinjitoze. Pjesa e parë u mbyll pa gola, derisa tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë skuadra belge kaloi në epërsi. Ishte pikërisht futbollisti kosovar, Laurit Krasniqi, ai i cili realizoi me gjuajtje me kokë, duke e kaluar në epërsi Antwerpin 1:0. Në vazhdim Drita u përpoq të gjejë golin e barazimit, por e kishte të vështirë të vinte në rast të mirë para portës mysafire. Ndërkohë, në minutat shtesë kur edhe portieri Maloku kishte shkuar për t’i ndihmuar shokët në sulm në një ndërprerje nga këndi, mysafirët arritën që me kundërsulm të shpejt të shënojnë edhe golin e dytë. Kësaj radhe shënues ishte Michel-Ange Balikwisha. Kësisoj, në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës mbetet vetëm skuadra kampione në fuqi, Ballkani, e cila do të luajë me skuadrën nga Ishujt Faroe, Klaskvik.