17 shtator, 2020 – Një Dritë e jashtëzakonshme në ‘Tose Proeski Arena’ të Shkupit. Kampioni ynë ka prerë biletën për rrethin e tretë të Ligës së Evropës, pasi e ka mposhtur skuadrën maqedonase Sileks, me rezultat 2:0. Një paraqitje mbresëlënëse e futbollistëve të Dritës për suksesin historik të klubit dhe të futbollit kosovar në garat evropiane, ngase për herë të parë Kosova do të ketë një skuadër në rrethin e tretë të garës së dytë më të rëndësishme në futbollin evropian. Drita gjatë tërë ndeshjes u tregua skuadër më e mirë dhe e administroi për mrekulli lojën. Megjithatë, goli i epërsisë erdhi në minutën e 48-të kur Fidan Gërbeshi shënoi me qetësi nga penalltia, ngase paraprakisht Hamdi Namani u ndalua në mënyrë të palejueshme brenda zonës së rreptësisë. Ndërkohë, goli i qetësisë për gjilanasit erdhi në minutën e 80-të pas një aksioni të shkëlqyeshëm, të cilin e finalizoi Ardian Limani që vulosi rezultatin përfundimtar 2:0. Në rrethin e tretë skuadra kampione e Kosovës do të ballafaqohet me skuadrën e njohur polake, Legia, ndeshje e cila do të zhvillohet mesjavën e ardhshme në Varshavë.